Marrëdhëniet tregtare mes BE-së dhe Kinës janë tensionuar, duke e komplikuar organizimin e samitit të ardhshëm dypalësh që do të mbahet në fund të korrikut në Pekin.
Vendosja e tarifave nga Kina ndaj konjakut evropian si “produkt me çmim artificialisht të ulët” është “e padrejtë” dhe “e pajustifikuar”, deklaroi të premten një zëdhënës i Komisionit Evropian, duke theksuar përkeqësimin e marrëdhënieve përpara samitit BE-Kinë.
“Masat e Kinës janë të padrejta, i konsiderojmë të pajustifikuara, dhe besojmë se janë në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare në fuqi dhe si të tilla të pabazuara,” deklaroi zëdhënësi i Komisionit, Olof Gill, të premten.
Gjiganti aziatik ka njoftuar tarifa të tilla deri në 34.9% për konjakun e BE-së për një periudhë pesëvjeçare duke nisur nga 5 korriku 2025, duke përjashtuar disa prej prodhuesve më të mëdhenj të BE-së që kishin pranuar të jepnin çmime minimale, si Remy Cointreau, Pernod Ricard dhe Hennessy e LVMH-së.
Hetimi kinez për konjakun nisi vitin e kaluar si hakmarrje ndaj tarifave të vendosura nga BE ndaj makinave elektrike kineze. Pas kësaj, Kina njoftoi edhe disa hetime të tjera ndaj produkteve të derrit dhe produkteve të bulmetit nga BE-ja, të cilat ende nuk janë përmbyllur.

