VW do të lançojë ID-në autonome. Buzz AD në vitin 2026, me shpresën që do t’ia kalojë Teslës në garën e robotaksive. Edhe konkurrentë të tjerë po përfshihen në këtë treg miliarda dollarësh.
Në Gjermani ka shumë njerëz që nuk mund të ia dalin pa makinë, veçanërisht në fshat, ku rrjetet e transportit publik mund të jenë të fragmentuara, madje inekzistente. Kalimi te automjetet elektrike nuk do ta zgjidhë problemin e transportit më vete. Makinat elektrike në pronësi private mund të mos funksionojnë me naftë, por ato ende konsumojnë burime, zënë hapësirë, kërkojnë rrugë dhe një vend për të parkuar.
Por shumë gjëra mund të zgjidheshin nëse njerëzit do të ishin në gjendje të përdornin taksitë robotike. Për vite me radhë, vende si SHBA-ja dhe Kina kanë pasur projekte pilot me makina vetë-drejtuese dhe furgonë pa shofer.
Këto automjete po testohen edhe në Gjermani, por deri më tani nuk janë dhënë miratime për të ashtuquajturat sisteme të nivelit 4 – makina plotësisht autonome pa shofer në timon. Autoriteti Federal Gjerman i Transportit Motorik (KBA) thotë se ligjërisht është e mundur, në Gjermani dhe në BE në tërësi, por deri më tani prezantimi i përgjithshëm i këtyre automjeteve duket ende shumë larg.
Robotaksi nga viti 2026, nga VW
Por tani VW ka ecur përpara me një furgon elektrik pa shofer: ID. Buzz AD, një automjet i nivelit 4 që përshkon rrugë të caktuara. Prodhuesi më i madh i makinave në Evropë prezantoi në Hamburg më 17 qershor versionin e prodhimit të furgonit elektrik autonom. Kjo makinë është planifikuar të dalë në rrugë në vitin 2026. Fillimisht, vetëm në Hamburg dhe Los Angeles, por qëllimi është që më pas të përhapet më gjerësisht.
“Kjo sigurisht nuk është vendosur si një prodhim i në seri të vogël,” thotë Christian Senger, një anëtar i bordit të menaxhimit të VW Commercial Vehicles, që është përgjegjës për sektorin e drejtimit autonom. Furgonët do të prodhohen në numër shumë të madh. Fabrika e VW në Hanover do të prodhojë më shumë se 10,000 automjete komerciale. “Ne besojmë se mund të jemi furnizuesi kryesor në Evropë”, thotë Senger.
VW tashmë ka një blerës, kompaninë e shërbimit të taksive Uber. Dy firmat nënshkruan një marrëveshje në prill për bashkëpunim në SHBA. Sipas Senger, Uber planifikon të blejë deri në 10,000 furgonë elektrikë VW gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Më shumë se Tesla
VW ia ka kaluar Teslës me prezantimin e ID. Buzz AD. Më herët këtë muaj, Elon Musk njoftoi 22 qershorin – këtë të diel – si datën mundshme për lançimin e robotaxi-t të tij, bazuar në SUV-in Model Y. Kjo mbetet ende e pakonfirmuar. “Po jemi shumë paranojakë për sigurinë, kështu që data mund të ndryshojë”, tha Musk në atë kohë në platformën e tij të mediave sociale, X.
Planet fillestare të Teslës janë që vetëm 10 deri në 20 SUV Model Y të operojnë si robotaxi publike në një zonë të Austin, Teksas, qyteti ku ka selinë qendrore Tesla. Por, si zakonisht, Musk po mendon për gjëra të mëdha. Në një intervistë me transmetuesin amerikan CBS, ai njoftoi se do të ketë rreth 1,000 robotaksi Tesla në rrugë brenda disa muajsh dhe qindra mijëra deri në fund të vitit 2026. Musk njoftoi gjithashtu në maj se disa qytete amerikane do të miratojnë drejtimin autonom për pronarët privatë të Tesla-ve para fundit të vitit. Ky premtim nuk është i ri: Në vitin 2017, ai premtoi se ky funksion do të aktivizohej brenda dy viteve.

