Jack Guy, Stephanie Halasz dhe Sophie Tanno, CNN
Një qytet në Gjermaninë Lindore po ofron dy javë akomodim falas për të inkurajuar njerëzit të shpërngulen atje, në përpjekje për të rritur popullsinë.
Eisenhüttenstadt, që ndodhet në kufi me Poloninë, rreth 100 km nga kryeqyteti gjerman Berlin, po ofron një qëndrim prove 14-ditor për banorë të mundshëm të rinj, sipas një njoftimi nga këshilli vendor.
“Projekti u drejtohet të gjithë të interesuarve për t’u shpërngulur në Eisenhüttenstadt – si për shembull punëtorë që bëjnë rrugën për në punë, persona që duan të rikthehen në qytet, punëtorë të kualifikuar, apo të vetëpunësuar që kërkojnë një ndryshim mjedisi,” thuhet në deklaratë, me aplikimet të hapura deri në fillim të korrikut.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të banojnë falas në një apartament të mobiluar nga data 6 deri më 20 shtator si pjesë e një “projekti inovativ emigrimi” të quajtur “Bëj Planet Tani,” tha këshilli.
Ata “do të kenë mundësinë të njihen me jetën, punën dhe komunitetin e (Eisenhüttenstadt) gjatë një prove 14-ditore – falas dhe në zemër të qytetit,” lexohet në deklaratë.
Për të ndihmuar pjesëmarrësit të ndiejnë atmosferën e qytetit, këshilli do të organizojë një sërë aktivitetesh përfshirë vizita turistike, vizita në fabrika dhe ekskursione të ndryshme.
Këshilli do të inkurajojë gjithashtu pjesëmarrësit që të qëndrojnë përgjithnjë, me biznese lokale që do të ofrojnë praktika pune, periudha mësimi në punë dhe mundësi intervistimi.
I themeluar në vitin 1950, Eisenhüttenstadt – që përkthehet “Qyteti i Uzinës së Çelikut” – ishte qyteti i parë i planifikuar tërësisht nën qeverinë socialiste të ish-Gjermanisë Lindore.

