Shona Murray & Jesse Dimich-Louvet, Euronews
Kryeministri i Estonisë beson se Rusia do të vazhdojë të jetë një kërcënim për sa kohë që Vladimir Putini është në pushtet. Në një intervistë për Euronews, Kristen Michal shpjegoi se përfundimi i luftës do ta detyronte presidentin rus të përballej me pyetje të vështira nga populli i tij.
Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, tha për Euronews se nëse Rusia do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, atëherë presidenti Vladimir Putin do të duhej të përgjigjej për një sërë pyetjesh të pakëndshme nga vetë qytetarët e tij, prandaj, vazhdimi i luftimeve do të thotë që ai qëndron në pushtet.
“Putinit i duhet konflikti, siç i duhet uji peshkut, sepse nëse nuk ka konflikt, atëherë me shumë gjasë njerëzit në Rusi do të fillonin të pyesnin: Ku është djali im? Ku është burri im? Ku janë asetet e mia?” — tha Michal për Euronews.
“Për të qenë i sinqertë, ne e njohim fqinjin tonë. Për Putinin, gjithçka ka të bëjë me qëndrimin në pushtet.”
Ai tha se kërcënimi që paraqet Rusia për Evropën do të vazhdojë për aq kohë sa Putini ndodhet në Kremlin.
“Ne e kuptojmë Putinin dhe, derisa regjimi dhe vetë Putini të ndryshojnë qëllimet e tyre, deri atëherë Rusia përbën një kërcënim akut për Evropën, për NATO-n, për gjithë botën e civilizuar,” shpjegoi ai.

